“TË LIDHUR ME VENDLINDJEN DHE TË PËRKUSHTUAR PËR NJË JETË MË TË ORGANIZUAR NË MËRGIM”

E diel, 25/01/2015

Shoqata e Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër, ditën e dielë, 25 janar 2015, zhvilloi takim e rregullt vjetor për të informuar anëtarësinë e saj rreth aktiviteteve njëvjeçare përkatësisht për periudhën Janar 2014 – Dhjetor 2014. Në takim mori pjesë edhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë lokale të fshatit Ladorisht Xhevdet Dauti dhe përfaqësuesi i Këshillit të xhamisë të fshatit Ladorisht, Arun Kolonja.

Në këtë takim, me karakter informativ, u pasqyrua  edhe raporti financiar për vitin 2014.

Xhuti Kolonja, Kryetar i Shoqatës së mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër, duke e marrë fjalën, theksoi se gjatë vitit 2014 Shoqata ka arritur të realizojë aktivitetet e programuara vjetore. Ka realizuar turneun tradicional në futboll, organizoi manifestim me rastin e 70 vjetorit të Masakrës së Ladorishtit, organizoi një tubim solemn me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë si dhe ka kontribuar dhe mbikqyrur disa aktivitete në vendlindje të koordinuara nga Këshilli i Bashkësisë lokale të fshatit Ladorisht. Ai apeloi tek rinia ladorishtare në Zvicër që të angazhohen më shumë në aktivitetet e Shoqatës për të qenë më të organizuar në të gjitha fushat.

Një raport të detajuar financiar të Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër dha Fisnik Dauti, arkëtar i Shoqatës. Ai theksoi se gjatë vitit 2014 Shoqata ka arkëtuar të ardhura nga anëtarësia dhe nga sposnsorë.  Aktualisht në konton e Shoqatës janë arkëtuar 25.312,25 CHF. Një pjesë të vogël të mjeteve financiare Shoqata i ka shpenzuar për manifestimin kulturore të organizuara në Zvicër ndërsa një shumë të konsiderueshme e ka donuar në projktet infrastruktorore në vendlindje, në Ladorisht. Ai përmendi gjithashtu se për projektet infrastrukturore në fshatin Ladorisht, sidomos për  ndërtesën e re për nevojat e  strukturave të fshatit, janë tubuar dhe  shpenzuar mbi 60.000,00 CHF.

Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Lokale të fshatit Ladorisht, foli Kryetari i BL-së, Xhevdet Dauti i cili ndër të tjera theksoi: “ Të nderuar mërgimtarë të Ladorishtit, bashkëpunimi i Këshillit të BL-së Ladorisht me SHML në Zvicër është duke dhënë rezultatet e veta. Jemi duke vepruar si një trup për t’i shtyrë përpara projektet e përbashkëta në favor të vendlindjes tonë. Në të gjitha prononcimet e mia për mediat në Maqedoni unë lëvdojë  kontributin e mërgimtarëve të fshatit për projektet që kemi nisur dhe duam t’i përfundojmë. Unë i falenderojë të gjithë anëtarët e SHML në Zvicër si dhe ndërmarrjet dhe sponzorët privatë për donacionet që kanë dhënë për ndërtimin e objektit të ri të fshatit. Gjatë vitit që lamë pas, ne arritëm të rrethojmë varrezat e fshatit, të instalojmë ndriçimin rrugor pranë varrezave dhe me ndihmën e një familje të fshatit, me punë të përkohshme në Zvicër, ne arritëm të bëjmë edhe trotuarin për këmbësorë dhe parkim përgjatë varrezave. Një arritje për tu evidentuar është pastërtia e fshatit dhe mbledhja e një shume të konsiderueshme nga mbledhja e mbeturinave me automjetin e BL-së. Gjatë këtij viti ne synojmë të zgjerojmë rrugën Ladorisht – Fierishtë si dhe të hapim rrugën që të çon drejt liqenit, afër f.Kalisht.”

Përfaqësuesi i Këshillit të xhamisë së fshatit, Arun Kolonja, i informoi mërgimtarët e Ladorishtit në Zvicër me aktivitetet që zhvilloi këshilli i xhamisë, sidomos me rregullimin e murit rrethues të varrezave, përgjatë rrugës. Bashkë me Këshillin e BL-së, tha ai, kemi menduar edhe për punësimin e një ose dy personave që do të kujdesen për mirmbajtjen dhe pastrimin e varrezave të fshatit.

Anëtarët e Kuvendit në këtë takim, mori qëndrim që Kryesisë së Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër tu bashkangjiten edhe 4 anëtarë të rinj: Asan Dauti, Mixhait Coma, Shpëtim Zylali dhe Resul Çollaku.

Në pjesën e fundit të këtij Kuvendi të përbashkët, të Shoqatës së Mërgimtarëve të fshatit Ladorisht dhe përfaqësuesve të Kryesisë së Bashkësisë lokale  dhe Këshillit të xhamisë të f.Ladorisht, pjesmarrësit shfrytëzuan rastin të parashtrojnë pyetje për Kryesinë e Shoqatës dhe Kryetarin e BL-së Xhevdet Dauti.

Pyetjet kishin të bënin me mënyrën e pastrimit të rrugëve të fshatit gjatë dimrit, mënyrën se si parkohen makinat nëpër trotuaret e rrugës qendrore të Ladorishtit si dhe për çështje të tjera me interes për komunitetin. Në adresë të anëtarëve të Kryesisë së BL-së u drejtua edhe një vërejte se jo të gjithë anëtarët e kësaj kryesie i përkushtohen detyrave që kanë marrë.

Disa nga aktivistët e Shoqatës apeluan tek të gjithë mërgimtarët për tu angazhuar më tepër dhe për të dhënë një kontribut më të madh jo vetëm për projektet infrastrukturore në fshat por edhe për organizimin multidimensional këtu në Zvicër. Le të bashkohemi rreth aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme arsimore dhe kulturore për të ruajtur vlerat dhe traditat tona kombëtare. Le të mendojmë pak më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Reth nesh

Shoqata ka për qëllim ta ruaj kulturën, traditën, folklorin, humanizmin, dashurin ndaj vendlindjes, respektin ndaj njëri tjetrit...

Lexo mëtepër

Disa nga përkrahësit