Në një Kuvend Mërgimtarët dhe Përfaqesues të Bashkësisë Lokale të Ladorishtit

Schwarzenbach, 27/01/2013

​Nën organizim të Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër, ditën e dielë, 27 janar 2013, u zhvillua një takim i gjërë i Kryesisë me anëtarësinë e saj, ku merrnin pjesë edhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë lokale të fshatit Ladorisht Xhevdet Dauti dhe Meqail Ef. Osmani, anëtar i BL-së Ladorisht.​

​Në këtë takim me karakter informativ u trajtuan aktivitetet e Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër, raporti financiar për vitin 2012 si dhe programi 4 vjeçar i parashikuar nga Këshilli i Bashkësisë lokale në Ladorisht, i drejtuar nga mërgimtari shumvjeçar Xhevdet Dauti, tanimë i kthyer në vendlindje.

​Zylbear Dauti, Kryetar i Shoqatës së mërgimtarëve të ladorishtit në Zvicër, duke e marrë fjalën, theksoi se gjatë vitit 2012 Shoqata ka qenë shumë aktive, ka realizuar turneun tradicional në futboll, ka dhënë kontribut në zgjedhjen e Bashkësisë lokale të fshatit Ladorisht, organizoi manifestim me rastin e 68 vjetorit të Masakrës së Ladorishtit, organizoi një tubim solemn me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe së shpejti do të transmetohet edhe një dokumentar që është përgatitur me këtë rast. Kryetari i Shoqatës, Zylbear Dauti, përshëndeti Nevzat Volinën, anëtarin e ri në Kryesinë e Shoqatës dhe apeloi tek rinia ladorishtare në Zvicër që të angazhohen më shumë në aktivitetet e Shoqatës.

​Një raport të detajuar financiar të Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër dha Fisnik Dauti, sekretar i Shoqatës. Ai theksoi se gjatë vitit 2012 Shoqata ka arkëtuar të ardhura nga anëtarësia, nga sposnsorë, nga mbajtja e turneut në futboll etj. Një pjesë të mjeteve Shoqata e ka shpenzuar për manifestimin kulturore, për filmin dokumentar si dhe donacion për Shoqërinë Kulturore Artistike “Valët e Liqenit”. E rëndësishme është, tha Fisnik Dauti, se saldoja momentale financiare e Shoqatës tonë është pozitive.

​Meqail Ef. Osmani, anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Lokale të Ladorishtit, para të pranishmëve bëri publik Programin katërvjeçar (2012-2016) që ka miratuar Këshilli i Bashkësisë Lokale, pas zgjedhje  së Kryesisë 9 anëtarëshe. Efendi Meqaili, veprimtar i gjithanshëm i Ladorishtit, shpalosi edhe disa nga virtytet e mira të vendbanimit të lashtë, Ladorishtit, duke eveidentuar resurset natyrore dhe njerzore që ka fshati.

​Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Lokale të fshatit Ladorisht, foli Kryetari i BL-së, Xhevdet Dauti i cili ndër të tjera theksoi: “ Kjo është një frymë e re e bashkëpunimit. Popullata në vendlindje dhe mërgimtarët këtu në Zvicër duhet të punojnë dhe veprojnë si një trup për t’i shtyrë përpara projektet e përbashkëta në favor të Ladorishtit tonë. Deri më tani ne si Kryesi e fshatit, kemi marrë disa veprime. Kemi ndërhyrë ndaj disa fenomeneve negative sidomos në fushën e ruajtjes së ambientit të pastër. Kemi ndërprerë një “rregull” të keqe për hedhjen e plehrave në çdo kohë e në çdo vend. Një ndihmesë për këto aktivitete mjedisore dhe humanitare është duke dhënë Forumi rinor i kryesuar nga hoxha i fshatit Adi Murtishi. Kryetari i BL-së Ladorisht bëri të ditur se edhe Klubi futbollistik “Flamurtari” ka filluar të riaktivizohet falë angazhimit të Bashkësisë lokale. Si Kryesi e re jemi në fillim të aktiviteteve por nëse bashkëpunojmë dhe anëtarësia paguhet nga secili mërgimtar atëhere me fondet e grumbulluara mund të realizojmë shumë projekte nga fusha e infrastrukturës, pastërtisë, sportit, kulturës, rinisë etj.

​Në këtë frymë diskutoi edhe anëtari tjetër i BL-së Ladorisht Veap Ajro, i cili potencoi se aktualisht Bashkësia lokale ka gjetur edhe një partner tjetër për bashkëpunim, që është Komuna e Strugës me të cilën është vënë një komunikim i rregullt, e cila gjithashtu është e gatshme t’i ndihmojë iniciativat e BL-së dhe Shoqatës së mërgimtarëve.

​Arun Kolonja, duke e marrë fjalën i njoftoi të pranishmit me punimet që janë realizuar tek varrezat fshatit.

​Në pjesën e fundit të këtij Kuvendi të përbashkët, të Shoqatës së Mërgimtarëve të fshatit Ladorisht dhe Delegacionit të Kryesisë së Bashkësisë lokale të f.Ladorisht, pjesmarrësit shfrytëzuan rastin të parashtrojnë pyetje për Kryesinë e Shoqatës dhe Kryetarin e BL-së Xhevdet Dauti.

​Pyetjet kishin të bënin me mënyrën e pagesës së antarësisë, ruajtjen e pyllit dhe krastës së fshatit, infrastrukturën e fshatit,ujin e pijshëm, emancipimin dhe shkollimin e fëmijëve dhe të rinjëve në mërgim, bursa për nxënës të talentuar, si të ndihmohen familjet në nevojë etj.

​Disa nga aktivistët e Shoqatës apeluan tek të gjithë mërgimtarët që të paguajnë anëtarësinë, se vetëm në atë mënyrë mund t’i realizojmë projektet.

U potencua gjithashtu se mërgimtarët imamin e fshatit në Ladorisht do ta paguajnë nëpërmjet shoqatës, marrëveshje e bërë në mes Bashkësisë Lokale, Këshillit të Xhamis dhe Shoqatës së Mërgimtarëve te f Ladorisht ne Zvicër.

​Në fund Kuvendi mori qëndrim që Kryesisë së Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër tu bashkangjiten edhe 3 anëtarë të rinj: Rini Ajro, Blerim Shemo dhe Xhuti Kolonja.

​Le t’i harrojmë gjërat që na kanë përçarë! Le të bashkohemi rreth aktiviteteve dhe projekteve që na bashkojnë e na nderojnë të gjithëve si këtu në diasporë ashtu edhe në vendlindje! Kjo ishte thirrja që karakterizoi takimin e përbashkët të Shoqatës së mërgimtarëve dhe Delegacionit të Bashkësisë lokale të f.Ladorisht.

Reth nesh

Shoqata ka për qëllim ta ruaj kulturën, traditën, folklorin, humanizmin, dashurin ndaj vendlindjes, respektin ndaj njëri tjetrit...

Lexo mëtepër

Disa nga përkrahësit