Në Schliren afër Cyrihut, mërgimtarët me pietet përkujtuan masakrën e 28 Tetorit të vitit 1944, kur fashistët ekzekutuan 84 vetë, por me gjithë këtë e sfida tjera, Ladorishti ka përqafuar përherë vlerat e mirëfillta të emancipimit dhe të qytetërimet.

Kanë kaluar 70 vite nga masakra në fshatin Ladorisht të Strugës dhe në jetë ka ardhur edhe brezi i tretë, por pasardhësit e atyre që e pësuan atë tragjedi të kobshme, nuk i harrojnë martirët e tyre. Në 70- vjetorin e kësaj masakre, ladorishtasit që jetojnë në Zvicër, më 16 nëntor u tubuan në restorantin “Salmen” të Schlirenit ( në afërsi të Cyrihut) në një tubim të përbashkët përkujtimor.

Pasi përkujtuan me një minutë heshtje u viktimat, tubimin e hapi kryetari i shoqatës Zhuti Kolonja, i cili duke përshëndetur të pranishmit, tha se ndonëse kanë kaluar 70 vjet nga masakra e vitit 1944 në Ladorisht, dëshmorët e këtij fshati do të kujtohen brez pas brezi në vendlindje e mërgatë. Në tubim mori pjesë edhe drejtuesja e Qendrës së Kulturës së Kosovës në Zvicër, Shukrije Ramadani, si dhe bashkatdhetarë nga viset e ndryshme shqiptare.

Vitaliteti që mund sfidat

Referatin kushtuar masakrës së 28 tetorit të vitit 1944 në Ladorisht e lexoi Bujar Murtishi: Pasi përshëndeti familjarët e martirëve e të pranishmit tjerë, ai tha se: “Ladorishti ka sfiduar shumë vështirësi, porse së bashku kemi dalë më të fortë e më vital. Ladorishti përkundër të gjitha gjëmave, ka arritur ti rris djemtë e tij duke i bërë burra të fjalës dhe të punës, të urtë e bujar, trima e atdhetarë, që gjithmonë i kanë dalë zot vendit dhe dinjitetit kombëtar. Ne, këto virtyte, i kemi dëshmuar si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqe. Sepse, Ladorishti ka qenë dhe do të mbetet një fshat i cili gjithmonë ka përqafuar vlerat e emancipimit dhe qytetërimet.

Ai përkujtoi se ndonëse kanë kaluar 70 vjet kur nazi-fashistët nuk kursyen asgjë. Dogjën fshatin dhe grumbulluan për ti pushkatuar të rinjtë , burrat , gratë, pleq e fëmijë që ta shkatërrojnë plotësisht fshatin tonë, duke ekzekutuar 84 persona në mesin e tyre edhe 7 gra. Por,  Ladorishti nuk u dorëzua. Qëndroi vertikalisht përballë të gjitha sfidave . Më tej Murtishi fjalën e tij e përfundoi duke thënë, se:

“Qëndruam aty për të ruajtur këtë vendbanim të vjetër ilir, për të ruajtur dinjitetin, krenarinë dhe kujtimin për martirët e masakrës së Ladorishtit. Sot jemi këtu për t`i kujtuar vlerat e historisë tonë, për tu bërë homazhe të rënëve, atdhetarëve dhe patriotëve që luftuan për liri e shqiptari. Sepse, me vlerat e të parëve tanë dhe me këshillat e mendjeve tona të ndritura, le të bashkohemi rreth një gjuhe, një kombi e një flamuri për një zhvillim më të mirë të trojeve tona.

Program i denjë artistik

Më pastaj tubimi vazhdoi me një programi të përzgjedhur e të denjë artistik, ku me këngë, kryesisht nga jugu, u paraqitën këngëtar me prejardhje nga ky fshat. Këngëtarët, si Xhemail Murtishi, Bajram Ismaili, Alim Dauti dhe Bari Ismaili përmes një këndimi tejet mbresëlënës krijuan një atmosferë sa te dhembshme aq edhe festive, duke e lidhur repertorin e tyre edhe me këngë kushtuar Ditës së Flamurit. Po mbi këtë temë, me një recitim kushtuar Marigos, doli edhe vogëlushja Leona Çollaku. Pas një ore sa zgjati programi përkujtimor, vazhdoi pjesa tjetër me vallëzim e argëtim, në ekzekutim të orkestrës, anëtarët e së cilës kryesisht janë nga Ladorishti. (Dialogplus.ch)

Legj 1) Moment nga tubimi përkujtimor në Schliren të Zvicrës
Legj 2)  Bujar Murtishi, fjalë rasti për masakrën e Ladorishtit
Legj 3) Program i denjë i artistëve të Ladorishtit në mërgatë
Legj 4) Këngëtarë e instrumentist që realizuan pikat artistike
Legj 5) Me përmbylljen e orës përkujtimore, program vallëzimi

Teksti dhe fotot : Rexhep RIFATI

Fotogaleria

Reth nesh

Shoqata ka për qëllim ta ruaj kulturën, traditën, folklorin, humanizmin, dashurin ndaj vendlindjes, respektin ndaj njëri tjetrit...

Lexo mëtepër

Disa nga përkrahësit